Google ndërton në Indi qendrën më të madhe të Inteligjencës Artificiale

Kompania amerikane e teknologjisë Google ka njoftuar se do të investojë 15 miliardë dollarë në Indi gjatë pesë viteve të ardhshme, duke krijuar qendrën e saj më të madhe të Inteligjencës Artificiale (IA) jashtë SHBA-së.

Sipas NDTV, Google do të ndërtojë në Visakhapatnam, një qytet port në shtetin indian Andhra Pradesh, një qendër IA-je i cili ka kapacitet energjie prej 1 gigavat dhe që ofron infrastrukturë gjigande dhe fuqi të lartë përpunimi.

Qendra do të bashkojë infrastrukturën e IA-së me rrjetet e zgjeruara të fibrave optike që rrisin shpejtësinë e transferimit të të dhënave dhe me burime energjie në shkallë të gjerë që sigurojnë funksionimin e pandërprerë të sistemeve të IA-së që kërkojnë fuqi të lartë përpunimi, siç janë modelet e mëdha gjuhësore.

Drejtori ekzekutiv i Google Cloud, Thomas Kurian tha në një aktivitet të mbajtur në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, se qendra do të jetë qendra më e madhe e IA-së e kompanisë jashtë SHBA-së.

Kurian deklaroi se ata do të investojnë 15 miliardë dollarë në Indi gjatë pesë viteve të ardhshme, duke e bërë atë investimin e tyre më të madh në Indi deri më sot.

– India, arenë e re konkurruese për gjigantët e teknologjisë

Investimi i Google-s vjen në një kohë kur kompanitë e teknologjisë po zgjerojnë me shpejtësi infrastrukturën e qendrave të të dhënave për të përmbushur kërkesën globale në rritje për shërbime të inteligjencës artificiale.

Microsoft dhe Amazon në vitet e fundit kanë investuar miliarda dollarë në qendra të të dhënave në Indi.

Drejtuesi i lartë i kompanisë amerikane të inteligjencës artificiale OpenAI, Sam Altman tha se përdorimi i ChatGPT në vend është katërfishuar vitin e kaluar dhe njoftoi planet për të hapur një zyrë në Indi para fundit të vitit.

Sipas ekspertëve, këto zhvillime tregojnë se India, me bazën e saj të madhe të përdoruesve dhe infrastrukturën dixhitale në zhvillim të shpejtë, është bërë pikë qendrore e konkurrencës globale në inteligjencën artificiale.