Hapet panairi i produkteve të grave në agrobiznes, synohet të nxitet pjesëmarrja e grave në agrobiznes

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, sot në Prishtinë ka filluar panairi i produkteve të grave në agrobiznes.

Roli i grave u vlerësua të jetë thelbësor në sektorin e agrobiznesit dhe puna që ato bëjnë në këtë sektor, pavarësisht sfidave.

Nga aty zëvendësministri në detyrë në Ministrinë e Bujqësisë, Imri Demelezi, tregon se çka bëri Qeveria e Kosovës për to.

“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë e konsideron rolin e grave thelbësor në shoqëri si parim moral dhe ekonomik. Si qeveri e Kosovës, gjatë këtyre viteve kemi tentuar në maksimum, në rrethana dhe buxhetin që kemi, t’i kushtojmë rëndësi rolit të grave në shoqëri, sidomos për të arritur targetin e barazisë gjinore, pasi që po flasim për 50% të shoqërisë sonë. Roli i tyre është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror. Gjatë viteve të fundit kemi tentuar të japim fokus të veçantë çështjeve financiare dhe hapjes së llogarive bankare”, tha Demelezi.

Ndërkaq, Fehmi Hyseni nga Komuna e Prishtinës tha se komuna i kushton vëmendje të veçantë grave nga zonat rurale, duke theksuar se mbështetja për to do të rritet në të ardhmen.

“Komuna e Prishtinës, brenda kapaciteteve që ka, bën gjithçka për mbështetjen e grave, sidomos në zonat rurale. Jemi të vetëdijshëm se kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme, por në planet tona ajo do të rritet. Me rastin e hartimit të kritereve, përparësi kanë gratë fermere. Fokus i veçantë është të pengojmë migrimin nga zonat rurale, përmes investimeve te gratë”, tha Hyseni.

Ndërsa, udhëheqësja e misionit të UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, theksoi mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për gratë në vend.

“Unë e përfaqësoj Agjencinë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe misioni ynë është jo vetëm t’ju mbështesim juve, por edhe institucionet që ju të keni vëmendje të veçantë. Jemi duke zbatuar një projekt që ka në fokus komunat që kanë pasur vërshime para disa viteve. Jemi duke punuar edhe me ministritë dhe me noterët, pasi e dimë që keni probleme me tokën. Prandaj, sot dua t’ju përgëzoj që, përkundër sfidave, nuk ndaleni për punën e mrekullueshme që bëni. Ne nuk do të ndalemi së ju mbështeturi”, tha ajo.

Ky panair synon të promovojë fuqizimin ekonomik të grave dhe të nxisë pjesëmarrjen e tyre aktive në sektorin e agrobiznesit. /EO