Zgjidhja për të gjitha biondet këtë vjeshtë
Nuanca bionde kajsie kombinon tonet e ngrohta të arta me nënnuanca të buta pjeshke, duke krijuar një shkëlqim të artë që duket sikur flokët janë puthur nga dielli
Kur mendojmë për ndryshimin e ngjyrës së flokëve në vjeshtë, zakonisht na shkon mendja te tonet më të errëta. Tonet si espresso me shkëlqim apo bakri i pasur janë zakonisht mbizotëruese në këtë sezon, por këtë vit situata është ndryshe – në qendër të vëmendjes është biondja kajsie.
E ngjashme me ngjyrën ‘strawberry blonde’, por me një prekje më të butë portokalli që përzihet në mënyrë perfekte me paletën e ngjyrave të vjeshtës, kjo është mënyra ideale për t’i rikthyer shkëlqimin flokëve të thatë pas verës. Ajo ofron mundësinë për të eksperimentuar me nuanca të ngrohta si xhenxhefili, pa dalë shumë nga zona juaj e rehatisë.
Çfarë është ngjyra bionde kajsie?
Ngjyra bionde kajsie është një version modern i biondes “dredhëz”. Ajo bashkon tonet e arta me nuanca delikate pjeshke, duke krijuar një efekt të ndritshëm dhe natyral. Është një zgjedhje e përkryer për ato që duan një pamje të ngrohtë, por pa dominuar tonet e verdha metalike apo të bakrit të theksuar, transmeton Telegrafi.
Si të arrini këtë nuancë?
Për ta arritur këtë ngjyrë trendi në sallon, është e rëndësishme t’i tregoni stilistit fotografi të sakta të ngjyrës që dëshironi, pasi intensiteti i toneve bakri mund të ndryshojë. Më e sigurta është ta lini këtë proces në duart e një profesionisti, për të shmangur shfaqjen e pigmenteve të padëshiruar të verdhë apo portokalli.
Nëse dëshironi ta realizoni vetë në shtëpi, kërkoni bojëra me emërtimin Apricot Blonde. Ndiqni me kujdes udhëzimet dhe aplikoni ngjyrën sipas kohës së rekomanduar, rezultati do të jenë flokë me pamje të freskët, me një shkëlqim të artë e diellor.
Si të kujdeseni për këtë ngjyrë?
Ashtu si çdo nuancë bionde, biondja kajsie kërkon kujdes të veçantë. Për ta ruajtur ngjyrën dhe shkëlqimin për një kohë të gjatë, përdorni shampo pa sulfate dhe maska ushqyese që janë krijuar posaçërisht për flokët biondë. Kjo ndihmon në ruajtjen e tonit të ngrohtë dhe parandalon zbardhjen apo humbjen e ndriçimit me kalimin e kohës.
Këshillë shtesë: për një pamje harmonike, kombinoni bionden kajsie me grim në nuanca pjeshke ose ari të butë, efekti do të jetë natyral, i ndritshëm dhe perfekt për ditët e ftohta të vjeshtës.