Përcollën zgjedhjet, përfundon programi për disa vëzhgues ndërkombëtarë

Trupa zgjedhore nga Norvegjia, Estonia, Turqia, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Lituania dhe Armenia kanë përfunduar Programin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë për Zgjedhjet Lokale 2025, i organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Këtë e ka bërë të ditur KQZ-ja që ka treguar se këta vëzhgues kanë ndjekur nga afër procesin e votimit dhe mbylljen e qendrave të votimit në disa komuna të vendit.

“Përfundoi Programi i Vëzhguesve Ndërkombëtar për Zgjedhjet Lokale 2025, i organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë ditës së zgjedhjeve, përfaqësues të trupave zgjedhore nga Norvegjia, Estonia, Turqia, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Lituania dhe Armenia patën mundësinë të ndjekin nga afër procesin e votimit dhe mbylljen e qendrave të votimit në disa komuna të Republikës së Kosovës”, thotë KQZ-ja.

Sipas institucionit që organizon zgjedhjet, prania e këtyre vëzhguesve ndërkombëtarë thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve zgjedhore, në përpjekje për forcimin e proceseve demokratike.