PDK: Jemi të parët në nivel vendi, duke lënë pas LDK-në e LVV-në
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se ka dalë e para në nivel vendi për nga numri i votave të fituara për kuvendet komunale në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Sipas rezultateve preliminare, PDK-ja thotë se ka marrë mbi 175 mijë vota në këtë garë, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me rreth 168 mijë vota dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me afro 156 mijë vota.
“PDK-ja ka fituar në raundin e parë në tri komuna: Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit. Ndërkohë, bazuar në rezultatet preliminare, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para. Komunat ku PDK-ja shkon si e para në balotazh janë: Prizreni, Mitrovica, Vushtrria dhe Kaçaniku. Ndërsa në Klinë dhe Dragash, PDK shkon si e dyta në balotazh”, thuhet në njoftimin e PDK-së. Në kryeqytet, PDK thekson se ka shënuar rezultat historik në garën për Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku ka grumbulluar mbi 21 mijë vota, duke u renditur për herë të parë si partia e dytë më e votuar, ndërsa ende nuk janë numëruar të gjitha kutitë e votimit. Ndërsa në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës, kandidati i PDK-së Uran Ismaili është renditur i treti me 28,588 vota, një rritje prej mbi 10 mijë votash krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
“Ndërkaq, kandidati ynë për kryetar Uran Ismaili është radhitur i treti me 28 mijë e 588 vota, me mbi 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021. Në tërësi, në garën për kryetar në nivel vendi, PDK ka dalë e dyta me 200 mijë vota”, thuhet në njoftim.
Sipas PDK-së, rezultatet pritet të përmirësohen edhe më tej, pasi janë ende të panumëruara 84 vendvotime në të gjithë territorin e Kosovës.