Abdixhiku: Mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, LDK-ja partia e parë në nivel vendi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar edhe një herë të gjithë kandidatët e kësaj partie për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar lart sjelljen dinjitoze të kandidatëve të LDK-së, duke i quajtur ata “zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës”.
“Keni qëndruar me dinjitet, me argument, me kulturë e me dashuri për vendin; siç i ka hije shtëpisë së demokracisë”, tha ai.
Abdixhiku ka përmendur edhe fitoren në raundin e parë të disa kandidatëve të LDK-së, duke përfshirë Imri Ahmetin, Ilir Feratin dhe Ruzhdi Shehun, duke i uruar për suksesin dhe duke e cilësuar këtë fitore si të përbashkët për të gjithë LDK-në.
“Nga sot e tutje jeni kryetarë të të gjithëve pa dallim. Silluni si të tillë”, theksoi ai.
Për kandidatët që kanë kaluar në balotazh, Abdixhiku shprehu besimin se gara do të vazhdojë me energji dhe përkushtim, ndërsa për ata që nuk arritën të fitonin dha mesazhin e motivimit dhe qëndrueshmërisë.
“Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk është e tillë. Është përvojë, themel për fitoret e ardhshme”, u shpreh ai.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja ka arritur të marrë mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, duke dalë partia e parë në nivel vendi, sipas rezultateve preliminare të këtyre zgjedhjeve.
Në fund, kreu i LDK-së shprehu mirënjohje për gjithë strukturën e partisë dhe theksoi se rrugëtimi i LDK-së vazhdon me më shumë besim dhe përkushtim.