Izraeli konfirmon: Ja kur do të fillojë lirimi i pengjeve të mbajtura në Gazë
Një zëdhënës i qeverisë izraelite konfirmoi të dielën se lirimi i pengjeve të mbajtura në Gaza do të fillojë herët të hënën në mëngjes. Pritet që të 20 pengjet e gjalla të lirohen së bashku, e më pas trupat e 28 të vdekurve. Të burgosurit palestinezë do të lirohen pasi të gjithë pengjet e Gazës të mbërrijnë në Izrael.
Gjithashtu, një zyrtar i lartë palestinez tha se autoriteti i tyre është i gatshëm të bashkëpunojë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, në përpjekjet e tyre për të konsoliduar armëpushimin në Gazë dhe për të filluar rindërtimin.
Plani i Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza parashikon që Autoriteti Palestinez, me seli në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe i udhëhequr nga Presidenti Mahmoud Abbas, të marrë përfundimisht kontrollin e Gazës, por vetëm pasi të përfundojë reformat. Abbas humbi kontrollin e Gazës ndaj grupit militant Hamas në vitin 2007.
Propozimi i Trumpit thotë se Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Gazë dhe parashikon që territori të drejtohet nga një komitet teknokratik palestinez i mbikëqyrur nga një organ ndërkombëtar i kryesuar prej tij dhe që përfshin Blair-in.
“Ne kemi konfirmuar gatishmërinë tonë për të punuar me presidentin Trump, Z. Blair dhe partnerët për të konsoliduar armëpushimin, hyrjen e ndihmave, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, dhe më pas të fillojmë me rimëkëmbjen dhe rindërtimin”, shkroi Sheikh në X.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë idenë që Gaza të drejtohet nga Autoriteti Palestinez. /euronews