Shqipëria i fut në sherr serbët, futbollisti shpërthen ndaj trajnerit: Ti je tradhtar
Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë fitore të madhe 1-0 ndaj Serbisë dhe kjo fitore e kuqezinjve ka bërë që të plasë sherri te serbët.
Anësori i Crvena Zvezdës, Nemanja Radonjiq, ka reaguar fuqishëm pas humbjes së Serbisë ndaj Shqipërisë.
Mediat serbe raportojnë se 29-vjeçari i është drejtuar trajnerit Dragan Stojkoviq - Piksi përmes një mesazhi muzikor të shpërndarë në rrjetet sociale.
Në tekstin e këngës që Radonjiq ka shpërndarë, këndohet: “Ti nuk ishe kurrë hero, të fal për këtë sepse tradhtarët e duan vetëm veten”.
Ai nuk ftohet nga kombëtarja serbe që nga viti 2023 dhe më parë është shprehur kritik ndaj Stojkoviqit.
Pas ndeshjes me Shqipërinë, përzgjedhësi Stojkoviq paraqiti dorëheqjen, ndërsa Radonjiqi e ka cilësuar atë si “tradhtar”, duke theksuar tensionet që ekzistojnë rreth vendimeve të tij dhe kritikat për zgjedhjet e ekipit kombëtar. /Telegrafi