Policia arreston pesë femra dhe dy meshkuj nga Shqipëria në Podujevë, u kapën me drogë
Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme me substanca narkotike në fshatin Shtedim të Podujevës.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 12:00 njësitë e hetimeve nga Stacioni Policor i Podujevës, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, kanë zhvilluar një aksion policor që ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave – pesë femra dhe dy meshkuj – të gjithë shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit nga Policia, aksioni është ndërmarrë pas informacioneve operative që kanë çuar në identifikimin e një lokacioni ku dyshohej se po zhvillohej aktivitet i paligjshëm me drogë.
Gjatë kontrollit të një shtëpie, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike, si dhe pajisje të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike.
Në operacion kanë asistuar edhe njësitë intervenuese, ndërsa pas arrestimit të personave të dyshuar në vendngjarje janë ftuar zyrtarët e njësisë antidrogë, të cilët në koordinim me prokurorinë do të ndërmarrin veprimet e mëtejme hetimore./Zëri