Gjermania porosit 600 sisteme mbrojtëse “Skyranger”

Forcat e Armatosura Gjermane po planifikojnë të bëjnë një porosi të madhe për sistemin e mbrojtjes ajrore ”Skyranger” nga kompania ”Rheinmetall”, me qëllim forcimin e aftësive të tyre mbrojtëse nga dronët.

Gazeta ”Handelsblatt”, duke cituar burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe njerëz të njohur me sektorin industrial, raportoi se më shumë se 600 sisteme mbrojtëse do të porositen nga kontraktori i mbrojtjes me seli në Dyseldorf këtë vit.

Vlera e porosisë, duke përfshirë automjetet shoqëruese, vlerësohet në më shumë se 9,0 miliardë euro (10,4 miliardë dollarë).

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin nuk konfirmoi asnjë shifër, por tha se negociatat ishin duke vazhduar.

Ai tha se një prototip i sistemit ”Skyranger” është aktualisht në fazën e testimit, e cila do të vazhdojë deri në fund të vitit, dhe se 19 sisteme janë porositur tashmë.

“Nëse ky sistem provon veten në testime, do të na duhet një numër treshifror i automjeteve shtesë,” tha zëdhënësi.

Një zëdhënës i ”Rheinmetall” tha se kompania po përgatitej për një rritje të ndjeshme të prodhimit dhe synonte të prodhonte “të paktën 200 njësi në vit”.

”Skyranger” është një sistem mbrojtës ajror i lëvizshëm, dhe kulla dhe topi i tij mund të montohen në automjete të ndryshme, siç janë automjetet e blinduara me rrota ”Boxer” të përdorura nga Forcat e Armatosura Gjermane ose Bundeswehri. Ai gjithashtu mund të vendoset në një automjet të blinduar me zinxhirë siç është tanku ”Leopard 1”/abcnews