BE-ja bën thirrje: Pas paqes, duhet të kemi shtetin palestinez
Ratifikimi i fazës së parë të planit amerikan për Gazën, i cili nënkupton nisjen e saj nga zbatimi, është përshëndetur në Europë si një zhvillim pozitiv dhe konkret drejt arritjes së një paqeje të qëndrueshme, edhe pse shumë liderë e theksuan megjithatë se kjo duhet të shërbejë si premisë edhe për zgjidhjen e shumëtrumpetuar me dy shtete, të cilën Izraeli vazhdon ta konsiderojë një vijë të kuqe.
“Kjo marrëveshje duhet të shënojë fundin e luftës dhe fillimin e një zgjidhjeje politike me në focus një shtet të pavarur palestinez, dhe Franca është e gatshme të kontribuojë për këtë qëllim”, deklaroi shefi i Elizesë, Emmanuel Macron. Drejtues të tjerë të BE-së, ashtu si edhe Macron, mendojnë gjithashtu se ujdia është një “mundësi” që duhet “shfrytëzuar” për të hedhur themelet e një paqeje afatgjatë, të ankoruar” tek “një zgjidhje me dy shtete”.
“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë shpërndarjen e shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare në Gaza. Dhe kur të vijë koha, ne do të jemi gati të ndihmojmë me rimëkëmbjen dhe rindërtimin”, nënvizoi kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, pohoi nga ana e saj se “BE-ja do të bëjë çmos për të mbështetur” “zbatimin” e marrëveshjes. Thirrja e tyre u mbështet nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i cili në një deklaratë tha se marrëveshja “do të shërbejë si një prelud për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike që do t’i japë fund pushtimit izraelit dhe do të çojë në krijimin e një shteti palestinez përgjatë kufijve të 4 qershorit 1967”.
Vetëm një muaj më parë ndërkohë, gjatë vizitës në një vendbanim në Bregun Perëndimor të pushtuar, Benjamin Netanyahu deklaroi se qeveria e tij do ta çojë deri në fund zotimin e saj që të mos ketë shtet palestinez, krijimin e të cilit e përshkroi “si shpërblimin përfundimtar për Hamasin pas masakrës më të madhe kundër hebrenjve që nga Holokausti“. /abcnews