Dita e Përfshirjes Sociale në Kosovë, një ditë pune e një hap drejt barazisë

Sot në Kosovë u shënua Dita e Përfshirjes Sociale, një nismë gjithëpërfshirëse që synon të promovojë solidaritetin, barazinë dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve, pa dallim etnie, gjinie, aftësie fizike apo statusi social.

Kjo ditë përfaqëson një model të ri të edukimit qytetar dhe shoqëror, duke treguar se përfshirja sociale nuk është vetëm koncept, por vlerë që ndërtohet me veprim konkret.

Kjo nismë u organizua nga Organizata Joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VoRAE)”, në partneritet me Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit në shtatë komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Suharekë dhe Lipjan.

Në kuadër të kësaj dite, qindra nxënës të shkollave të mesme nga komuna të ndryshme u angazhuan për një ditë pune në biznese dhe institucione lokale, si pjesë e një nisme që ndërthur arsimin me solidaritetin shoqëror.

Kontributi i fituar nga nxënësit do të depozitohet në Fondin e Përfshirjes Sociale, i cili do të përdoret për të mbështetur nxënës dhe të rinj nga komunitetet më të cenueshme – përmes bursave, ndihmës mësimore, trajnimeve, aktiviteteve rinore, nismave komunitare etj. që promovojnë përfshirjen dhe mundësitë e barabarta.

Ky aktivitet ka për qëllim të forcojë ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore tek të rinjtë, të ndërtojë ura bashkëpunimi mes institucioneve, shkollave dhe bizneseve, si dhe të krijojë një model të qëndrueshëm për angazhimin qytetar dhe solidaritetin në funksion të përfshirjes së barabartë.

Në fjalën e tij gjatë ngjarjes, përfaqësuesi i organizatës VoRAE theksoi:

“Kjo ditë na kujton se përfshirja sociale nuk është një ngjarje që ndodh vetëm sot – ajo duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë, në çdo hap dhe në çdo moment. Dita e Përfshirjes Sociale shërben si kujtesë e përbashkët për angazhimin tonë që çdo individ, pavarësisht prejardhjes, të ketë mundësi të barabarta për arsim, punë dhe pjesëmarrje në jetën shoqërore.”

Ai shtoi gjithashtu:

“Dita e Përfshirjes Sociale është shembull i qartë se përfshirja dhe solidariteti nuk janë vetëm fjalë, por vlera që ndërtohen me veprime konkrete. Kjo ditë tregon se secili prej nesh mund të kontribuojë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse".

Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të organizatës VoRAE për të promovuar barazinë në arsim, fuqizimin e të rinjve dhe integrimin social të komuniteteve. Në të njëjtën kohë, kjo nismë shërben si model praktik i edukimit për qytetari aktive, duke treguar se përmes bashkëpunimit dhe veprimit konkret, mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të hapur për të gjithë.

Organizata VoRAE shpreh falënderim të veçantë për të gjitha komunat pjesëmarrëse, bizneset që hapën dyert për nxënësit, shkollat, mësimdhënësit dhe vetë nxënësit, të cilët me përkushtim dhe energji e bënë të mundur këtë ditë.

10 tetori – Dita e Përfshirjes Sociale do të vazhdojë të shënohet çdo vit si një ditë e reflektimit, angazhimit dhe bashkëpunimit për një Kosovë më gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar ndjehet i barabartë dhe i vlerësuar.