Blerta Basholli nis xhirimet e filmit të ri artistik “DUA”

Kanë filluar xhirimet e filmit me metrazh të gjatë artistik “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, autore e njohur për suksesin ndërkombëtar të filmit “Zgjoi”.

Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka nga Ikonë Studio (Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).

Xhirimet kanë nisur më 4 tetor dhe pritet të përfundojnë më 19 nëntor, me gjithsej 35 ditë xhirimi.

“DUA” është një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve 1990, e frymëzuar nga përvojat personale të vetë regjisores. Filmi ndjek historinë e një adoleshenteje introverte që kërkon identitetin e saj në një periudhë të trazuar politike dhe shoqërore.

Në rolet kryesore do të shfaqen: Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.

Ky projekt i ri kinematografik pritet të sjellë një tjetër rrëfim të ndjeshëm e të thellë nga Basholli, duke e vendosur edhe njëherë kinemanë kosovare në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. /kultplus