Polici përdori armën zyrtare në tentim për ta ndaluar 29-vjeçarin në Vranjevc
Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me të shtënat me armë në Vranjevc të Prishtinës.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, në rrugën “Fahri Fazliu”, ku zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë personin e kërkuar L.K. (1996) derisa ishte në një veturë në rrugën e sipërshënuar.
Policia ka konfirmuar për “Zërin” se zyrtari policor ka shtënë me armë në drejtim të të dyshuarit.
“I dyshuari ka refuzuar urdhrat policorë dhe ka arritur të largohet duke rrezikuar zyrtarët, njëri nga të cilët në përpjekje për ta ndaluar të dyshuarin ka përdorur edhe armën zyrtare.
Personi i dyshuar ka arritur të largohet duke shkaktuar një aksident trafiku me të lënduar dhe dëme materiale”, ka konfirmuar për “Zërin” Enis Pllana, zëdhënës i Policisë për Prishtinë. /Zëri