Babai i Naim Murselit mungon në seancë, njofton Gjykatën se qëndron prapa deklarimeve të mëhershme
Në seancën e së premtes ndaj Naim Murselit dhe të bashkakuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt ka munguar Shaban Murseli, babai i Naim Murselit.
Gjykata ka bërë të ditur se Shaban Murseli ishte njoftuar zyrtarisht për seancën, ndërsa ftesa i ishte përcjellë edhe përmes telefonit dhe e-mailit.
Sipas trupit gjykues, ai ka deklaruar me telefon se nuk do të paraqitet në seancë dhe se mbetet pranë deklarimeve të mëhershme të dhëna para organeve të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit Florjan Avdija, bashkëvendës i të akuzuarve që është pronar i një biznesi.
Në seancën e 22 shtatorit ekspertët kishin konstatuar se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava s’kanë çrregullime mendore.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime ose sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.