Votimi kundër akreditimit të mediave serbe në KQZ, OSBE dhe Ambasada gjermane të zhgënjyer
Misioni i OSBE-së në Kosovë është shprehur i zhgënjyer thellë në lidhje me vendimin e marrë sot nga disa anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të abstenuar ose për të votuar kundër kërkesave për akreditim të paraqitura nga të gjitha mediat në gjuhën serbe, dhe të tjera, për mbulimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale të planifikuara për të dielën, më 12 tetor.
Ky mision tha se “zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente varen nga qasja e hapur dhe e barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar, raportuar dhe informuar publikun rreth zhvillimeve zgjedhore”.
“Kufizimi i akreditimit të mediave në bazë të përkatësisë së perceptuar të komunitetit, gjuhës ose përkatësisë editoriale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale”.
“Qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve përfaqëson një aspekt themelor të kornizës multietnike dhe demokratike të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për të ruajtur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke shmangur sugjerimet për praktika diskriminuese dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e informuar nga të gjitha komunitetet”, u shpreh ky mision në reagimin publik.
OSBE në Kosovë tha se si mision, mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin e medias dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare.
Misioni u bëri thirrje partive politike t’i përmbahen këtyre vlerave.
Edhe Ambasada Gjermane në Kosovë e ka mbështetur reagimin e OSBE-së.