Loja e nxehtë Serbi-Shqipëri, rumuni Kovacs merr përgjegjësinë për ndarjen e drejtësisë
Istvan Kovacs, do të jetë referi i cili do të ndajë drejtësinë në ndeshjen e madhe të së shtunës e cila zhvillohet mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Ndeshja luhet në Leskovc, në stadiumin “Duboçica”.
Kovacs, ka përvojë goxha të madhe në futbollin evropian.
Ky caktim nga UEFA, shihet si një sinjal i qartë i seriozitetit me të cilin po trajtohet kjo ndeshje, e cila mbart një ngarkesë të madhe sportive, emocionale dhe politike.
Ndeshja e 11 tetorit, kthen në vëmendje pas 11 vjetësh episodin e ngjarjeve në Beograd, duke i kushtuar rëndësi secilit detaj.
Rumuni, është gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s që nga viti 2010 dhe pjesë e grupit “Elite” të UEFA-s, është një nga emrat më të shquar në arbitrimin e futbollit, me një karrierë të pasur në garat më prestigjioze të kontinentit.
Në vitin 2022, Kovacs gjykoi në finalen historike të Ligës së Konferencës së parë midis Romës dhe Feyenoord në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Dy vjet më vonë, ai u zgjodh për finalen e Ligës së Evropës midis Atalantës dhe Bayer Leverkusen, ndërsa në maj 2025 ai arbitroi finalen e Ligës së Kampionëve midis Paris Saint-Germain dhe Interit.
Ai njihet për stilin e rreptë dhe disiplinën e lartë në lojë.
Kovacs ka një reputacion si një arbitër që nuk lejon devijime nga rregullat, por në të njëjtën kohë arrin të ruajë autoritetin dhe qetësinë edhe në ndeshjet me tension maksimal.
Në Euro 2024, ai tërhoqi vëmendjen për mënyrën se si e menaxhoi ndeshjen midis Republikës Çeke dhe Turqisë, ku shpërndau një numër rekord kartonësh.