“Java e Bibliotekës”, midis traditës dhe inovacionit

Sensibilizimi i të rinjve për rëndësinë që ka libri dhe bibliotekat në Kosovë, po bëhet përmes aktiviteteve të shumta që janë organizuar në kuadër të edicionit të 22 të "Javës së Bibliotekës".

Biblioteka komunale e Prizrenit mbanë përgjegjësinë e furnizimit me libra fizikë për të gjitha grupmoshat e kësaj komune. Në kuadër të "Javës së Bibliotekës" po prezantohet edhe programi i ri funksionalizimit të tyre në një rrjet të përbashkët, thotë Sahadete Sadikaj, drejtoreshë e këtij institucioni në Prizren.

"Varësisht nga lexuesit, varësisht nga grupmosha, nëse flasim për nxënësit, nxënësit e kanë obligative lektyrat shkollore, ndërsa studentët i kanë titujt shkencorë, pensionistët kryesisht i marrin monografitë e ndryshme apo romane të ndryshme, varësisht nga lexuesit kërkohet edhe libri, është fat që nga kjo javë e bibliotekës, është bërë e ditur edhe funksionalizimi i programit të ri bibliotekar, ku do të kenë qasje të gjitha bibliotekat e Kosovës, është fat i madh sepse tash të gjitha bibliotekat jemi me një rrjet", tha Sadikaj.

Dorëshkrimet e rralla, janë ekspozuar këtë javë edhe në Bibliotekën Kombëtare, thotë Shkëmb Nivokazi.

"Në kuadër të javës së bibliotekës, si në aspektin muzikor, në aspektin e leximit të librit, aktivitetet me fëmijë, kemi pasur edhe ekspozitën e dorëshkrimeve të rralla orientale, ku ka një vit që jemi duke i kataloguar, ndërsa tani do të fillojë procesi i digjitalizimit, ku do të jenë të qasshëm për studiuesit", tha Nivokazi.

Udhëheqës të bibliotekave nga Shqipëria, thonë se puna kryesore e bibliotekave, është propagandimi dhe thithja e të rinjve.

"Me larmishmërinë e aktiviteteve tona ne shkojmë të lexuesi. Duke ngritur platforma digjitale, duke paraqitur libra të dixhituar, dhe bashkëpunimi ndërbibliotekar, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe ndërrajonal, duke pasur platforma të përbashkëta, të dixhituara, e lehtëson këtë gjë", tha Beneta Dhima, specialiste klasifikatore në bibliotekën publike të Elbasanit.

“Java e Bibliotekës në Prizren”, do të zgjasë deri më 12 tetor.