Ushtria e Kosovës fiton në Britani, Osmani: Me FSK-në, vendi ynë i fortë dhe krenar gjithnjë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë që nderon flamurin dhe frymëzon kombin.
E para e shtetit u shpreh se FSK-ja ka shkëlqyer në një nga garat më të vështira ushtarake në botë, “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ka shkëlqyer në një nga garat më të vështira ushtarake në botë, ‘Cambrian Patrol’ në Mbretërinë e Bashkuar, duke u dekoruar me Medaljen e Argjendtë në mesin e 118 ekipeve nga mbarë bota”.
“Ekipi ynë nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë tregoi disiplinë, qëndrueshmëri dhe përkushtim shembullor, duke e vendosur emrin e Kosovës në piedestalin e nderit ndërkombëtar”, shkroi Osmani.
Tutje, Komandantja Supreme tha se me FSK-në, Kosova është e fortë dhe krenare gjithnjë.