Shqipëri: Mbi 86 mijë depistime për fëmijët në shkolla

Dita Botërore e Shikimit është një nismë globale ndërgjegjësimi për rëndësinë e shëndetit të syve.

Kjo ditë është një kujtesë për vizitat e rregullta oftalmologjike që janë thelbësore për parandalimin e humbjes së shikimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor njoftoi sot se gjatë periudhës 2024-2025, falë Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit te fëmijët janë kryer 86.007 depistime dhe 9.815 referime për ndjekje të mëtejshme mjekësore.

Qeveria miratoi në prill të 2022-shit Programin Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, një program që garanton kujdesin në shikimit për fëmijët, që tek të porsalindurit, deri te fëmijët në moshën 14-vjeçare.

Përmes këtij programi sigurohet vlerësimi okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga MSHMS dhe përgatitja e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.

Nëpërmjet këtij program synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.

Ky program ka fokus parandalimin dhe edukimin duke ofruar shërbime të reja socio-shëndetësore në strukturat e arsimit.