Prokuroria: Simiqi urdhëroi sulmin ndaj gazetarëve shqiptarë në Leposaviq

Në seancën fillestare ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe të pandehurit tjetër Urosh Vukasinoviq, Prokuroria ka paraqitur aktakuzën, duke i akuzuar ata për nxitje të turmës dhe përdorim dhune ndaj gazetarëve shqiptarë gjatë protestave në Leposaviq më 16 qershor 2023.

Prokurorja e rastit, Ajtene Zoni, duke lexuar aktakuzën, tha se i pandehuri Slavko Simiq kishte marrë pjesë me dashje në një turmë të dhunshme dhe kishte urdhëruar sulmin ndaj mediave kosovare.

“I pandehuri Silvako Simiq me datë 16.06.2023, rreth orës 14:15, në Leposaviq, i pandehuri me dashje merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personash, e cila me veprimet e tyre të përbashkëta shkakton rrezik të përgjithshëm. Ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, personat civilë dhe të maskuar fillojnë të gjuajnë shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare me targa 02-182-FO, të markës Toyota Land Cruiser, ngjyrë të zezë dhe me ngjyra të ndryshme”, tha Zoni.

Ajo theksoi se pas kësaj Simiqi kishte dhënë urdhër për të sulmuar gazetarët.

“Pasi që kalon ai, i pandehuri jep urdhër duke thënë ‘Mshanju mediave’, ashtu që sulmi vazhdon në drejtim të gazetarëve të mediumeve të Republikës së Kosovës: Pleurat Salihu, Bardh Bekteshi, Enes Mehmeti, Leonard Berisha, Dorontina Thaqi, Saranda Ramaj, Laura Kerolli Qorri, Ardian Shala, Bashkim Xhikolli, Albin Rrahmani, Arton Rama, Qëndresa Sinani”, tha ajo.

Sipas Prokurorisë, turma më pas kishte përdorur mjete të forta për të sulmuar gazetarët, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime trupore.

“Fillimisht hedhin një shok-bombë, pastaj vazhdojnë t’i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta – kupëza betoni, tulla, ngjyrë dhe gjësende tjera, ku përpos dëmeve materiale në automjete dhe telefona, lëndime të rënda trupore pësojnë të dëmtuarit Pleurat Salihu dhe Bardh Bekteshi, kurse lëndime të lehta trupore pëson e dëmtuara Venera Xhoxhaj”, tha ajo.

Prokurorja Zoni tha se me këto veprime Simiqi ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga Neni 404, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, për të pandehurin tjetër Urosh Vukasinoviq, prokuroria tha se ai kishte përdorur forcë ndaj gazetarëve, i motivuar nga urrejtja etnike.

“I pandehuri Urosh Vukasinoviq me datë 16.06.2023, rreth orës 14:15, në Leposaviq, i pandehuri me dashje përdor forcën ndaj gazetarëve të mediumeve të Republikës së Kosovës, i motivuar në bazë të kombësisë, në atë mënyrë që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, gjuan me mjete të forta – kupëza betoni, tulla dhe gjësende tjera – në drejtim të gazetarëve të mediumeve ‘Arbreshi.info’, ‘Klan Kosova’, ‘RTV Dukagjini’, ‘KTV’, ‘Indeksonline’, ‘TËVË 1’”, tha ajo.

Sipas Prokurorisë, me këtë veprim Vukasinoviqi ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga Neni 184, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se të dy të pandehurit kanë marrë pjesë në turmë që ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe kanë drejtuar dhunën drejt gazetarëve, të cilët po raportonin nga vendi i ngjarjes.

“Më datë 16.06.2023, rreth orës 14:15, në Leposaviq, i pandehuri me dashje merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personash, e cila me veprimet e tyre të përbashkëta shkakton rrezik të përgjithshëm. Ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, personat civilë dhe të maskuar fillojnë të gjuajnë shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare me targa 02-182-FO, të markës Toyota Land Cruiser, ngjyrë të zezë dhe me ngjyra të ndryshme, dhe pasi që kalon ai, vazhdojnë në drejtim të gazetarëve të mediumeve ‘Arbreshi.info’, ‘Klan Kosova’, ‘RTV Dukagjini’, ‘KTV’, ‘Indeksonline’, ‘TËVË 1’”, tha ajo.

Prokurorja përfundoi se me këto veprime të dy të pandehurit kanë cenuar sigurinë publike dhe kanë penguar lirinë e medias në Republikën e Kosovës. /EO