Prokuroria: Grupi “Kilaj” në vizitë te Thaçi u koordinua të ndikojë në dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur
Është publikuar dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, të paktën nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor 2023, Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi i kanë bashkërenduar veprimet brenda grupeve të përbashkëta, në mënyrë që të ndikojnë në dëshmitarët e rastit në të cilin Thaçi së bashku me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokuroria e përshkruan Thaçin si udhëheqës dhe organizator i këtyre grupeve, të cilat pretendohet se i ka drejtuar nga paraburgimi në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për Fazliun, Smakajn dhe Kilajn, Prokuroria thotë se kanë luajtur rol kyç në përmbushjen e qëllimit të pengimit të drejtësisë duke u koordinuar individualisht me Thaçin gjatë vizitave, kështu duke marrë edhe udhëzime përkatëse.
Ndërsa për Kuçin, Prokuroria thotë se derisa shërbente në ekipin mbrojtës të Veselit, e ka vizituar Thaçin në paraburgim, e që ka rënë dakord të kontaktojë në mënyrë të paligjshme me dëshmitarë dhe i ka dhënë vetë sugjerime Thaçit lidhur me mënyrën e ndërhyrjes në dëshmi.
Prokuroria pretendon se grupi “Kilaj’ tentoi të ndikojë në një dëshmitar të mbrojtur
Sipas Prokurorisë, grupi “Kilaj”, në përbërje me Isni Kilajn dhe Vllaznim Kryeziun, e kishin vizituar Thaçin më 6 tetor 2023, ku dhe u koordinuan që të ndikojnë në dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur.
Fillimisht, një takim më 2 shkurt ishte realizuar nga Kilaj dhe Thaçi përreth tri orë, pasi në janar ky i fundit e kishte telefonuar Kilajn. Në të njëjtën ditë të vizitës, Kilaj ishte fotografuar me disa shokë dhe Kuçin në një kafene afër Qendrës së Paraburgimit. Sipas Prokurorisë, në këtë fotografi Kilaj e kishte pasur veshur të njëjtën xhaketë në të cilën ishin gjendur copëza letre me informacione konfidenciale gjatë bastisjeve në banesën e tij më 2 nëntor 2023.
Gjatë dy thirrjeve telefonike, Thaçi e kishte inkurajuar Kilajn që ta vizitonte sërish dhe në njërën prej këtyre thirrjeve, Kilaj pretendohet se i ka thënë Thaçit se edhe Kryeziu dëshironte që ta vizitonte.
Vizita e këtyre dyve tek Thaçi ndodhi më 6 tetor dhe zgjati gati tri orë, në të cilën pretendohet se Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarin 4, si dhe kishte dhënë udhëzime se si duhej transmetuar tek dëshmitari 4 mënyrën e dëshmisë së tij. Ngjashëm sikur në rastet e tjera, edhe në këtë vizitë ishte folur me zë të ulët dhe duke pëshpëritur.
Copëzat e letrës që iu gjetën Kilajt, sipas Prokurorisë, ishin printuar nga i njëjti printer sikurse dokumenti që iu gjet Smakajt.
Thaçi thuhet se kishte udhëzuar që dëshmitari 4 të fliste bindshëm dhe shkurt, si dhe ai duhej të minonte përgjegjësinë e UÇK-së për krime duke ia atribuuar atë individëve. Thaçi pretendohet se tha që dëshmitarit 4 duhej t’i thuhej se “kjo është për interesin e tij” ose “për të mirën e tij”.
Ndër dokumente të tjera që i ishin gjetur Kilajt, ky i fundit gjatë kontrollimit në banesën e tij, sipas Prokurorisë ra dakord që të intervistohej vullnetarisht në banesën e tij. Sipas Prokurorisë, Kilaj pranoi disa fakte të pakundërshtueshme, por bëri edhe një seri deklaratash mashtruese dhe të rreme, me qëllim fshehjen e aktivitetit të grupit dhe origjinën e materialeve konfidenciale në posedim të tij.
Sipas Prokurorisë, Kilaj pranoi se e njeh dëshmitarin 3 dhe 4, si dhe për këtë të fundin kishte thënë se të gjithë qytetarët e dinë se është dëshmitar i Prokurorisë. Megjithatë, thuhet se ai e ka mohuar se me këta dëshmitarë ka biseduar lidhur me dëshminë e tyre.
Kilaj thuhet se ka mohuar që i është kërkuar të kontaktojë ndonjë dëshmitar për të ndryshuar dëshmitë e tyre. Por, sipas Prokurorisë, provat e dëshmojnë të kundërtën.
Deklarata e cila iu ishte gjetur në koshin e mbeturinave, Kilaj thuhet se ka thënë që e dinte se ishte e dëshmitarit 4. Madje, ai thuhet se ka thënë që nuk i kujtohet se nga i ka marrë deklaratat të cilat kishte deklaruar se i kishte printuar vetë dhe se askush nuk ia kishte dhënë fizikisht.
Kilaj kishte thënë se ato i kishte grisur dhe hedhur në mënyrë të zakonshme rreth një javë para kontrollit të Prokurorisë.
Arsyen se pse i grisi dhe hodhi, Kilaj kishte thënë se nuk ishin çështje që i interesonin e që dokumentet e tilla i kishte marrë disa vjet më parë. Sipas Prokurorisë, kjo nuk është e mundshme, pasi sipas tyre, këto dokumente nuk ishin zbuluar me asnjë palë duke përfshirë edhe gjykatën deri më 30 janar 2023.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.