Rama: Kemi sistemin mbrojtës ndër më të sofistikuarit në NATO për sulmet kibernetike

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria ka një prej mureve mbrojtëse më të mira kibernetike mes vendeve të NATO-s”.

Rama iu drejtua sot me një fjalë Konferencës së 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, që mblodhi në Tiranë delegacione nga 32 vendet anëtare të Aleancës, të përfaqësuara nga ministritë e Jashtme, të Mbrojtjes dhe “cyber ambassadors”.

Kryeministri theksoi se aktualisht vendi përballet mesatarisht me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim plotësisht.

“Nuk është vizionare, është diçka që lind nga nevoja më elementare e mbijetesës. Kur bëhet fjalë për sulmet që lënë gjurmë kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. 48 sulme kanë lënë gjurmë, por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur vjen fjala për infrastrukturën tonë shtetërore, qoftë digjitale apo fizike, e themi me krenari se jemi mes më të mirëve”.

Kjo, sipas tij, sepse “kemi qenë mes të parëve që kombinuam mbrojtjen kibernetike me inteligjencën artificiale. Inteligjenca jonë artificiale brenda këtij muri mbrojtës kibernetik bën punën 24 orë në ditë 7 ditë të javës për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e sulmeve të dëmshme”, tha Rama.

Ndërkohë Rama tha se “nëse qeveritë do të gjykoheshin përmes të dhënave reale mbi atë që parandalojnë të ndodhë, njerëzit do të kishin një mendim më të mirë për to”.

“Qeveritë marrin meritën ose fajin për atë çfarë bëjnë si duhet, ose atë për të cilën gabojnë por qeveritë kurrë nuk marrin asnjë meritë për atë që parandalojnë të ndodhë. Dhe ajo që parandalojnë të ndodhë nuk është vetëm pjesë e misionit të saj, por është një pjesë e rëndësishme e këtij misioni, marrja e një morie përpjekjesh për të parandaluar që të ndodhin gjëra të tmerrshme”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe sulmet kibernetike me të cilat u përball vendi, të cilat synuan infrastrukturën digjitale.

Rama theksoi se sulmet u organizuan në një moment kur Shqipëria ofron 95% të shërbimeve publike, online.

“Na u desh të përballemi dhe e pamë veten në mes të një sulmi kibernetik mjaft të keq e të gjerë që synoi infrastrukturën digjitale që është krenaria jonë. Ne kemi investuar në infrastrukturën tonë digjitale për një qëllim shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të bëjmë një kapërcim e të lëmë pas krahëve një histori mjaft të rëndë ryshfetesh. Ky ishte synimi një një investim të jashtëzakonshëm me burimet tona të kufizuara dhe gjithë ajo kohë e shpenzuar për ta bërë këtë mund të ikte në tym, si pa të keq. Por i mbijetuam kësaj”, tha Rama. /atsh