Dyshohet se pengoi gjyqtarin në kryerje të detyrës, kërkohet paraburgim për malishevasin

Dyshohet se pengoi gjyqtarin në kryerje të detyrës, kërkohet paraburgim për malishevasin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ndaj të pandehurit me inicialet Sh.B. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, si dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet Sh.B., më dt. 07.10.2025, rreth orës 09:30 min, në fshatin Berish, komuna Malishevë, me forcë tenton ta pengojë personin zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare dhe atë të dëmtuarin N.Q., - gjyqtar në Gjykatën Themelore Gjakovë - Dega Malishevë - Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Civil, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i dëmtuari ka qenë në terren së bashku me procesmbajtësin/dëshmitarin për një kontest pronësor, aty shkon i pandehuri fillimisht debaton me avokatin ku i drejtohet me fjalët “pse ke hyr në këtë lëndë”, ku avokati kërkon nga gjyqtari që ta konstatojë këtë, i dëmtuari /gjyqtari i prezantohet të pandehurit si gjyqtar i lëndës dhe e ka lutur që të mos pengohet seanca në terren se përndryshe është i detyruar ta thërrasë policinë, mirëpo i pandehuri nuk e respekton policinë dhe me tone të larta i përgjigjet me fjalët “unë jam mësuar që të shkoj në polici dhe thirri edhe njësinë speciale”, duke vazhduar që të pengoj gjyqtarin me duar në gjoksin e tij.

“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga Neni 401, par. 5, lidhur me par. 1 të KPRK-së”.

“I pandehuri që nga data 7 tetor 2025, me vendim të prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim. /Zëri