Gjuriqi e quan vendim provokues dhe destabilizues ardhjen e dronëve turq në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar ashpër pas lajmit se Kosova ka pranuar një dërgesë të re dronësh nga Turqia.

Ai e ka cilësuar këtë veprim si një “akt të njëanshëm” që, sipas tij, rrezikon stabilitetin në rajon.

Gjuriqi ka thënë se vendimi i Ankarasë për t’i furnizuar Kosovën me dronë luftarakë është “një ndërhyrje e panevojshme dhe e dëmshme në çështjet rajonale”, që mund të përkeqësojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shtimi i armëve dhe teknologjisë ushtarake në Kosovë nuk kontribuon në paqe e siguri, por përkundrazi rrit tensionet. Serbia do të vlerësojë me kujdes këtë zhvillim dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm diplomatikë”, ka deklaruar Gjuriqi në një postim në X.

Reagimi i Gjuriqit erdhi pas njoftimit se në Kosovë kanë mbërritur dronët kamikazë “Skydagger”, të prodhuar në Turqi.

Autoritetet kosovare kanë konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka trajnuar një pjesë të personelit për përdorimin e tyre, duke theksuar se pajisjet e reja forcojnë aftësitë mbrojtëse të vendit.