Prokuroria: Fatmir Sheholli u arrestua nën dyshimin për spiunazh

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e analistit Fatmir Sheholli, i cili po dyshohet për spiunazh.

Prokuroria njoftoi se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.

“I dyshuari F.SH. është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga Neni 124, paragrafi 3 i KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë. /Zëri