Moderatoren Jehona Gashi e pret sfida e politikës lokale

Pas shumë vitesh në shërbim të publikut përmes valëve të Radio Prishtinës, ku është një nga zërat më të dashur të mëngjesit, moderatorja Jehona Gashi ka vendosur të nisë një kapitull të ri në karrierën e saj – atë të angazhimit publik dhe politik.

E njohur për komunikimin e saj të afërt me qytetarët dhe përkushtimin ndaj çështjeve që prekin komunitetin, Gashi tashmë është bërë pjesë e garës për Asamblenë Komunale të Klinës, si kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ajo garon me numrin 12 në listë dhe ka filluar angazhimin e saj në fushatën zgjedhore me synimin për të sjellë një frymë të re përfaqësimi në nivel lokal.

Jehona Gashi thotë se dëshira për të kontribuuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e komunës së saj e ka shtyrë të ndërmarrë këtë hap të ri sfidues, duke e parë politikën si një mundësi për të shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim.

Ajo e shoh këtë detyrë si përgjegjësi publike, jo partiake duke premtuar se do të jetë e hapur për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike.

Një prej synimeve kryesore të saj është që të rinjtë të mos e shohin migrimin si të vetmen alternativë.

Derisa jemi pak ditë larg së dielës së 12 tetorit, Jehona u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Klinës të dalin në zgjedhje për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike, ndërsa fton të votohet alternativa më e mirë për Komunë e Klinës e që sipas saj është kandidati i LDK-së Arben Limanaj dhe ajo si kandidate për asamble me numrin 12. /Zëri