Canaj: Moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar situatë të re politike, kemi bllokadë shtetërore
Ish-diplomati Blerim Canaj ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës ka krijuar një situatë të re politike në vend.
Sipas tij, klasa politike ka luajtur me ndjenjën patriotike për përfitime politike, duke përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti.
“Politika ka luajtur me kartën e sentimentit patriotik, e sidomos Kurti”, ka thënë Canaj.
Ai ka shtuar se në këtë kurth kanë rënë edhe partitë opozitare, për shkak të mungesës së guximit për të marrë vendime dhe paaftësisë për t’ua shpjeguar qytetarëve realitetin politik.
“Në këtë kurth kanë rënë edhe partitë ish-opozitare… në këtë kurth kanë rënë edhe për shkak të mosguximit për të marrë vendime dhe njëkohësisht edhe për mungesë kapaciteti për ta artikuluar dhe sqaruar qytetarëve situatën në të cilën gjendet vendi”, ka theksuar ai.
Canaj ka theksuar se situata aktuale nuk përbën më një bllokadë politike, por një bllokadë shtetërore.
“Natyrisht, nganjëherë mund të ketë edhe koston e periudhës së kësaj fushate, por po shpresoj dhe besoj se Kuvendin nuk do ta thërrasin para zgjedhjeve”, ka përfunduar ai./dukagjini