Nicole Kidman pas divorcit rikthehet fuqishëm si ambasadore e e markës Chanel

Nicole Kidman po e përqafon ndryshimin me elegancë. Më pak se një javë pasi paraqiti kërkesën për divorc nga Keith Urban, aktorja 58-vjeçare, fituese e çmimit Oscar, ka marrë një rol të ri si ambasadorja më e fundit e markës së njohur Chanel.

“Chanel ka qenë gjithmonë një hap përpara, duke ndriçuar me zgjuarsi dhe mirësjellje gratë,” është shprehur Kidman.

Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e saj, pavarësisht krizës me të cilën po përballet në jetën private për shkak të divorcit.

Ajo mori pjesë në sfilatën e parë të shtëpisë franceze të modës nën drejtimin e drejtorit kreativ Matthieu Blazy në Paris. Aktorja u shoqërua nga dy vajzat e saj, Sunday Rose, 17 vjeç, dhe Faith Margaret, 14 vjeç.

Ylli hollivudian, ambasadore e markës luksoze, u paraqit me një pamje të freskët. E veshur me një këmishë të bardhë dhe pantallona të gjera, 58-vjeçarja dukej në formë të shkëlqyer.

Ylli i “Babygirl” ka një marrëdhënie dydekadëshe me Chanel. Në vitin 2003, ajo u bë imazhi i parfumit legjendar të markës Chanel No. 5, dhe më vonë luajti në “Chanel No. 5: The Film”, një film të shkurtër kinematografik të drejtuar nga Baz Luhrmann.