Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja, Ngjela: Duhet të hetohet nga SPAK-u 

Avokati Spartak Ngjela ka folur për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja, të hënën në sallën e gjyqit.

Ai ka thënë se ky rast duhet të hetohet nga SPAK-u.

“Konflikti për pronën në një vend, në nivel jo shumë të lartë ekonomik, është i rrezikshëm, këtë na e ka treguar profesioni. Do të thotë se humbja e pronës në mënyrë të padrejtë shpesh ka çuar në krime. Tani vijmë te rasti aktual. U vra një gjyqtar dhe e dimë arsyet, nuk ka nevojë të zgjatemi”, tha ai.

“Pyetja që duhet të bëjmë këtu është: ‘Çfarë do të krijojë kjo?’ Kemi pasur raste në histori kur është vrarë një gjyqtar dhe shteti nuk u ka dhënë mbrojtje. Një mori gjyqtarësh kanë dhënë dorëheqje në Perëndim. Jo sot, por në historinë e demokracisë. Në Perëndim, derisa është formuar pushteti gjyqësor me personalitet. Do të bëjmë pyetje se kjo që ndodhi, a do të shfrytëzohet pozitivisht apo negativisht”, shtoi Ngjela.

“Duhet ta pranojmë si fakt se pushteti gjyqësor në Shqipëri ka kaluar nga korrupsioni. Fakt është se edhe pas daljes së SPAK-ut kemi përmirësim në optikën dhe në faktin juridik të drejtësisë. Tani duhet të shikojmë se çfarë do të na sjellë SPAK-u. Edhe kjo që ndodhi duhet të hetohet nga SPAK-u”, ka thënë Ngjela. /klankosova