Pacienti e rrahu infermierin, FSSHK-ja kërkon zbardhjen e rastit
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka reaguar rreth sulmit që iu bë dy ditë më parë infermierit të Urgjencës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, Gëzim Musliu.
Siç ishte bërë e ditur edhe nga Policia në raportin 24-orësh të saj, punëtori shëndetësor ishte sulmuar në vendin e punës nga një pacient.
FSSHK-ja, duke dënuar këtë rast u bëri thirrje institucioneve përkatëse të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbardhjen e rastit.
“Dhuna fizike në vendin e punës është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin fizik dhe moral të profesionistëve tanë, por edhe dinjitetin dhe sigurinë në institucionet publike shëndetësore”.
“FSSHK-ja dënon me forcë çdo formë dhune në ambientet e punës dhe u bën thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe autoritetet komunale, që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbardhjen e plotë të rastit dhe për mbrojtjen ligjore të viktimës”.
“I bëjmë thirrje të gjitha strukturave menaxheriale në institucionet shëndetësore që të sigurojnë kushte të sigurta pune për të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe të veprojnë pa vonesë ndaj çdo akti dhune apo sjelljeje të papërshtatshme në vendin e punës. Shëndetësia nuk mund të funksionojë mbi bazën e frikës dhe pasigurisë. Punëtorët tanë meritojnë respekt dhe mbrojtje të plotë institucionale”, thuhet në reagim.