Pensionistët u kërkojnë takim krerëve të shtetit, thonë se nuk po marrin përgjigje

Pensionistët në Kosovë vazhdojnë të marrin pensione të ulëta, që shpesh nuk mjaftojnë as për shpenzimet bazike ditore.

Për gjendjen në të cilën ndodhet kjo kategori e shoqërisë ka folur kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati.

Ai tha se situata është alarmante dhe se shumica e tyre nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet më bazike të përditshme, duke përfshirë ushqimin e nevojshëm për një shujtë të vetme gjatë ditës.

Ai tha se rreth 170 mijë pensionistë marrin vetëm 120 euro në muaj, që përbën mbi 50-60% të të gjithë pensionistëve.

“Me këtë pension nuk mund ta sigurosh një shujtë gjatë ditës, lerë më të flasim për shërbime të tjera. Ata që i kanë 120 euro dhe nuk është numër i vogël është diku 170 mijë njerëz që kanë 120 euro pensionin mujor, domethënë mbi 50-60% të pensionistëve janë nën nivelin e çdo kriterit për standard të jetës”, tha ai.

Kastrati ka thënë për Front Online, se gjatë fushatës zgjedhore shoqata ka zhvilluar disa takime me kandidatët për asamble komunale, por nuk ka pasur asnjë mundësi të takohet me përfaqësues të institucioneve qendrore, pavarësisht kërkesave të përsëritura për takim.

“Kemi takuar disa kandidatë për asamble, ndërsa kemi kërkuar takim, kemi dërguar e-mail Kryetares, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit, por nuk kemi marrë përgjigje që a na pranojnë apo nuk na pranojnë në bisedë”, tha Kastrati.