“Pikë uji” i Robert Budinës triumfon në Festivalin e Filmit të Aleksandrisë
Filmi “Pikë uji”, me regji të Robert Budinës, ka shënuar një tjetër sukses ndërkombëtar, duke u vlerësuar me dy çmime të rëndësishme në edicionin e 41-të të Festivalit të Filmit të Aleksandrisë: për skenarin më të mirë dhe aktoren më të mirë, që shkoi për Gresa Pallaskën në rolin e Aidës.
Një vit pas premierës në Warsaw Film Festival, “Pikë uji” vazhdon rrugëtimin e tij në skenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se vlerësimi i qëndrueshëm vjen nga veprat që kanë diçka të fortë për të thënë dhe dinë si ta thonë. Dy çmimet e fundit janë një konfirmim i integritetit artistik dhe vizionit të qartë që karakterizon këtë film.
Performanca e Gresa Pallaskës është cilësuar nga kritikët si një ndër më të arrirat e kinemasë shqiptare viteve të fundit. Me një lojë të brendshme dhe plot nuanca, ajo ndërton një figurë femre të përfshirë në rrjetin e pushtetit dhe zgjedhjeve të vështira, duke e shpalosur me ndjeshmëri, pa e gjykuar.
Skenari i nënshkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha dhe Ajola Daja është vlerësuar për strukturën e tij të thellë dhe mënyrën e ndërtimit të tensionit përmes heshtjeve dhe situatave të përditshme. “Pikë Uji” trajton me delikatesë temat e dhunës së fshehtë, korrupsionit dhe pushtetit, pa rënë në patetizëm apo moralizim.
Ky vlerësim nga një festival prestigjioz si ai i Aleksandrisë, që historikisht ka promovuar kinemanë mesdhetare, përforcon sukseset që filmi ka korrur edhe më herët. Vetëm pak javë më parë, “Pikë Uji” u rendit nga The New York Times mes pesë filmave ndërkombëtarë të rekomanduar për t’u parë, ndërsa aktualisht po shfaqet në platformën Film Movement Plus për publikun amerikan dhe ndërkombëtar.
“Pikë Uji” është një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë, Rumanisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut një shembull i bashkëpunimit artistik rajonal dhe i një qasjeje të pjekur ndaj kinemasë. Ky film tregon se kinemaja shqiptare po hyn në një fazë të re: të pjekur, të përgjegjshme dhe të ndërtuar mbi vlera të forta estetike e njerëzore.
Ky sukses, më shumë se çdo çmim, është një dëshmi se kinemaja shqiptare po gjen zërin e saj një zë që nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar, por që flet qartë, me art dhe me integritet. /kultplus