Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë nis sot në kryeqytet

Edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë nis sot, në orën 11:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Nga data 8-11 tetor 2025, sheshi i kryeqytetit do të shndërrohet në një hapësirë plot libra, lojëra, aktivitete edukative dhe kulturore për fëmijë.

Përgjatë 4 ditëve, nga ora 10:00 deri në orën 18:00 fëmijët i pret një panair i pasur me libra për fëmijë, aktivitete artistike e rekreative, lojëra dhe kënde argëtimi, takime me artistë dhe programe kulturore.

Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, si pjesë organizative e kësaj feste, do të jetë e pranishme me disa ngjarje, duke përfshirë antarësimin falas për fëmijë në shesh dhe në degën në Taslixhe, promovim libri, shpallja e lexuesve të vitit etj.