“Kush do të ma pasojë topin tani?”, Messi prek zemrat me mesazhin emocionues për Alban
Jordi Alba i jep fund një karriere të lavdishme, pas më shumë se një dekade në elitën e futbollit.
Lamtumira e tij emocionoi botën, duke prekur veçanërisht Lionel Messin, me të cilin ndau disa nga momentet më të paharrueshme në fushë.
Messi ka reaguar me një mesazh prekës ndaj njoftimit të Jordi Albas për tërheqjen nga futbolli në fund të këtij sezoni.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës, aktualisht pjesë e Inter Miami, bëri të ditur vendimin përmes një postimi në Instagram, ku menjëherë mori një koment emocionues nga shoku i tij i vjetër i skuadrës.
“Faleminderit, Jordi. Do të më mungosh shumë. Pas gjithçkaje që kemi përjetuar bashkë, do të jetë e çuditshme të shikoj në të majtë dhe të mos të shoh aty... është e pabesueshme sa shumë asistime më ke dhënë ndër vite... kush do ma pasojë topin tani?”, shkroi Messi nën postimin e Albas.
Messi 38 vjeç, dhe Alba 36 vjeç, kanë ndarë fushën së bashku për vite me radhë te Barcelona (2012–2021), përpara se të ribashkoheshin në SHBA me Inter Miami në verën e vitit 2023.
Largimi i Albas shënon fundin e një epoke për dyshen që u bë ikonë e lojës sulmuese të katalanasve dhe më pas të skuadrës amerikane.