Qeveria ndau 100 euro pak ditë para zgjedhjeve, Cakolli: Shembull i përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke ndarë nga 100 euro për studentët e vendit.

Cakolli, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka shkruar se miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

Tutje ai tha se ndarja e këtyre mjeteve, si edhe masat e tjera financiare nuk janë aktivitete të domosdoshme e as të parapara me buxhetin vjetor.

“Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë”.

Sipas tij, në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për "çështje rutinore apo të domosdoshme", duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral.

“Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos te grupet e ndjeshme si studentët”, shkroi Cakolli.