Dita e Përfshirjes Sociale po afron, bëhu ti ndryshimi!
Organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” për herë të parë do të organizojë Ditën e Përfshirjes Sociale në Kosovë.
Më 10 tetor në Ditën Ndërkombëtare të Përfshirjes, VoRAE ka ftuar të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe ka kërkuar bashkëpunim nga bizneset që t’i angazhojnë këta fëmijë për një ditë punë në bizneset e tyre.
Qëllimi i Përfshirjes Sociale është ndërtimin i një shoqërie më të drejtë për një ndryshim pozitiv për të ardhmen.
Përfaqësues nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë nismë — një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërinstitucional për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Bajram Ilazi, nga organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, ka ftuar të gjithë që të tregojnë solidaritetin e tyre në këtë ditë ndërkombëtare.
“Dita e Përfshirjes sociale është si nismë unike që të bën pjesë e ndryshimit të komunitetit tënd. Me 10 tetor, bizneset, nxënësit, shkollat, institucionet, në një ditë angazhimi tregojnë solidaritetin e tyre”, tha Ilazi.
Ndërkaq, Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, thotë se solidariteti nuk është vetëm vlerë, por është thirrje për veprim konkret që nis nga bashkëpunimi.
“Prandaj ftojmë të gjitha institucionet publike, shkollat dhe kompanitë private që të mbështesin këtë iniciativë, sepse ky moment nuk është vetëm moment reflektimi, por është veprim për një të ardhme më gjithëpërfshirëse”, është shprehur Shahini.
Ndërkaq Lumnije Ajdini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, thotë se ky bashkëpunim do të kontribuojë në realizimin e projekteve për të rinjtë.
“Përmes këtij bashkëpunimi, bizneset kontribuojnë drejtpërdrejt në një fond të dedikuar për identifikimin dhe realizimin e projekteve që fuqizojnë të rinjtë me më pak mundësi. Kjo është më shumë se një ditë pune, është investim për të ardhmen, është një model i suksesit të qëndrueshëm ku bizneset, institucionet dhe të rinjtë bashkëpunojnë për një ndryshim të vërtetë”, thotë Ajdini.
Ky angazhim dhe ky projekt ka për qëllim që përmes fondeve të krijuara të realizohen kushte më të mira për fëmijët e komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe fëmijëve me nevoja të veçanta. Po ashtu si qëllim është edhe ngritja e vetëdijes për punë vullnetare.
“Bashkohuni me ne për të ndërtuar një të ardhme ku secili ka një vend dhe një zë. Bëhu ti ndryshimi!”, është motoja e VoRAE-s. /Zëri