Nipi vrau gjykatësin, kërcënon xhaxhai: Kush e dënon, do të përballet me plumba si Astrit Kalaja
Gjovalin Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, i cili akuzohet për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja të hënën në sallën e gjyqit, ka thënë se edhe gjyqtari i cili do të dënojë nipin e vet, do të përballet me të njëjtin fat.
“Edhe gjyqtari që do ta dënojë do të përballet me plumba. Ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit e të gjithë qeverisë: Na jepni pronën, se ia kemi blerë shtetit! Ai gjyqtar që do ta dënojë ka të njëjtin shpërblim, provat i dhamë. S’na përdhunon kush”, ka thënë ai sipas A2 Cnn.
Gjovalini thotë se prona për të cilën palët ishin në gjyq i është blerë shtetit.
“Ose të na fusë në burg, se kemi privatizuar pronën gabimisht”, thotë ai.
Edhe pse shton që i kërkon falje familjes Kalaja për humbjen e njeriut të tyre, Gjovalin Shkambi kërcënon gjykatësit e tjerë që do të merren me çështjen e nipit të tij dhe të pronës.
“Familjes të të ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami. Por ai që do të dënojë atë djalë, do të gjykohet sikur është gjykuar Astriti (Kalaja). Se e kemi blerë pronën me ligj dhe me rregulla. Kush ta dënojë atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump, qoftë edhe Papa, s’ka lojë me ne më! I kemi fituar të gjitha gjyqet, e kemi me certifikatë. Të hetojë shteti, se kemi 13 vjet që i shkruajmë Edi Ramës”.
Gjovalin Shkambi thotë gjithashtu se nuk ishte në dijeni të asaj që do të bënte nipi i tij.
“Ne nuk kemi qenë në dijeni, se po të ishim në dijeni, nuk kishte ndodhur. Nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftë të paparë. Kush e dënon atë djalë, në gjykatë me plumba në sallë të gjyqit, se më ka blerë në besë shteti, se ia kam blerë shtetit”.