Ndryshime të motit në vend, Rugova: Stabilizim pritet në pjesën e dytë të javës

Bora, që ra te premten befasoi qytetarët.

Një prej qytetarëve thotë që borë në vjeshtë se mban mend të ketë pasur që nga viti 1981.

Por ani pse, bora u shkri, temperaturat kanë vazhduar të jenë të ulëta edhe këtë fillim javë tetori.

“Është hera e parë me sa di une që bora bie me datën 3 tetor hera e fundit që e mbaj mend qe ka ra borë ka qenë viti 81 dhe ka qenë data 6 tetor. Unë jetoj në fshat edhe bora mka shkaktu dëme në pemëtari dhe një drunjë dekorativ dmth disa pemë janë thy nga pesha e borës disa drunjë dhe bredhe gjithashtu janë demtu”, është shprehur një qytetarë.

Ndërsa disa e shohin këtë të ftohtë që po mbretëron si fillimin e zakonshëm të vjeshtës.

“Ngrohja globale po e bën të vetën skemi qare pa u përgatit për cfardo lloj mos parashikimi, duhet të përgatitemi edhe për stuhi”, është shprehur qytetari tjetër.

“Sivjet na ka befasu koha se gjithmonë ka mar mirë ka ndodh që deri natën e vitit të ri nuk ka ra borë por shpresojë që pranvera do të vijë edhe një herë pra vjeshta do të rregullohet”, ka folur qytetari tjetër.

Ndërsa Meteorologu Mendim Rugova, thotë se i ftohti i ditëve të fundit vjen si pasojë e një cikloni që po qëndron mbi rajonin tonë dhe pritet të mbetet edhe për disa ditë.

“Këto ditët e para të javës deri nga dita e mërkurë parashihet që me dominu vranësirat edhe kohë pas kohe me qenë të shoqëruara me reshje të shiut mirëpo i ftohti nuk do të jetë polarë sic ka qenë javën e kalume por është një i ftohtë që vjen prej Europës Përendimore temperaturat do të jenë më shumë 8 deri në 10 gradë celsius. Ndërsa nga pjesa e dytë e javës parashihet një stabilizim i motit edhe te kemi më shumë intervale me diell dhe temperaturat të ngriten”, ka theksuar Rugova.

Sipas Rugovës dimri që po vjen nuk do të jetë me temperatura shumë të ulëta sikurse në vitin 2012 mirëpo temperaturat do të arrijnë deri në -10 gradë e sa i përket reshjeve do të jenë më të shpeshta.