Vrasja e Liridona Ademaj- Gjykimi zbardh detaje të reja, vrasja u krye nga afër
Me duar të prangosura, Naim Murseli, Granit Plava, dhe Kushtrim Kokalla, u sollën sërish në gjykatore.
Në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, vëmendja kryesore ishte tek dëshmitari, eksperti i mjekoligjor në IML, Naim Uka, i cili ka bërë autopsinë e viktimës.
“Gjatë procedurave të autopsisë mjekoligjore, është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë e shkaktuar nga veprimi dinamik e shkaktuar nga arme e zjarrit që ka pas drejtim nga djathtas majtas, nëpër para pjerrtas pas… është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe është gjetur në anën e majtë murore të kokës e cila është dorëzuar si provë sipas zingjirit të ruajtjes së provave te policët hetues. Si rezultat I kësaj plage ka ardhë edhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtmetrurore e cila është edhe shkaku i vdekjes”, ka thënë Uka.
Doktori Uka tregoi se qitja shkaktoi djegie lëkurore, që nënkupton se gjuajtja ndodhi nga një distancë prej 2 deri në 5 centimetra.
Mundësia e vetëvrasjes, Uka tregon se është përjashtuar.
Ekzaminimet, ai tregoi se zbuluan edhe një plagë tjetër, në krahun e majtë të viktimës.
“shkurt ku e pytë a mundet me u shkaktu prej dorës…”, është shprehur Syla.
“Po. Dora është një nga mjetet e cila nuk mund të përjashtohet si mjet përmes të cilit është shkaktuar ky dëmtim trupor” , ka thënë tutje Uka.
Pas Ukës, vendin e dëshmitarit e zuri Jeton Binaku, pronar i një pike karburanti në Gjakovë, i cili Granit Plavës ia kishte siguruar një makinë me qera.
“Qitu me mujtë me e shti krejt dëshminë e tij cka kena mendu me lon… që ka tregu që Plava u kon ma i shqetësum se zakonisht etj…”, është shprehur njëri nga dëshmitarët
Ngjarjen e përshkroi edhe dëshmitari tjetër, Naim Sadiku, pronar i një marketi shumë afër rrugës ku ndodhi vrasja.
Sadiku tregoi se Naim Murseli hyri atë natë në market bashkë me dy fëmijët e tij, dhe i tha se i kanë plaçkitur.
“Më ka thënë që na kanë plaçkitë, e mandej më ka tregu që gruja i ka mbetë në kerr, por nuk ka pranu të flet me policinë për shkak që ka qenë i shqetësuar”, ka folur dëshmitari tjetër, Naim Sadiku.
Por atë natë, Naimi kishte bërë edhe një telefonatë me telefonin e dëshmitarit.
“Ma ka kërku telefonin edhe ka dërgu mesazh prej telefonit tem me dikë, nuk e di me kë nuk më ka tregu”, është shprehur tutje Sadiku.
Të hënën dëshmitar para trupit gjykues ishte edhe Hasan Hasanaj, punëtor i kompanisë së derivateve, i cili konfirmoi se e ka parë Granit Plavën duke e vozitur veturën e llojit “SEAT”, të marrë me qera./teve1