Haliti kritikon Gjykatën Kushtetuese: S’ka kompetencë të urdhërojë, por të tregojë si duhet të veprohet

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka kritikuar mënyrën e veprimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ajo nuk duhet të japë “urdhra”, por të sqarojë qartë rrugën ligjore për zgjidhjen e situatave institucionale.

Haliti ka folur për ngërçin në Kuvend dhe për heshtjen e Gjykatës Kushtetuese në publikimin e plotë të aktgjykimit. Ai ka kërkuar që ky institucion të veprojë me transparencë dhe të japë udhëzime të qarta për dalje nga krizat kushtetuese.

“Uroj që Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë edhe detajet se si duhet të dilet nga ngërçi dhe jo ta lërë çështjen në dykuptime ose, siç po thuhet ndonjëherë, ‘urdhnoj’. Unë nuk e di që ka kompetencë Gjykata Kushtetuese të urdhërojë, por ajo duhet të thotë se kështu duhet të ndodhë, jo ‘ju urdhëroj’”, ka theksuar Haliti.

Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për një proces më të besueshëm për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij institucioni.

“Kosova ka nevojë për një proces më të besueshëm dhe më të verifikueshëm nëpër shkallë të ndryshme të institucioneve që kanë të bëjnë me drejtësi”, ka deklaruar Haliti.

Sipas tij, në vendet e civilizuara dhe demokratike, vendimet e gjykatave kushtetuese nuk debatohen, por zbatohen me përpikmëri.

“Sido qoftë, në botën e civilizuar dhe demokratike vendimet e gjykatave kushtetuese askund nuk diskutohen, ato zbatohen me përpikmëri”, ka përfunduar Haliti në Dukagjin.