Përparim Rama nënshkruan marrëveshjen me operatorët privat të transportit: Në qershor 2026, Trami do të jetë në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në qershor të vitit 2026, Trami do të jetë pjesë e transportit në kryeqytet.

Kjo pasi Rama ka nënshkruar zyrtarisht bashkëpunimin me operatorët privat të transportit të ri të Prishtinës për tramin elektrik.

“Në qershor të 2026-tës Tram do të jetë këtu! Sot filloi zyrtarisht bashkëpunimi i Kryeqytetit me operatorët privat të transportit të ri të Prishtinës (TRIP) për zbatimin e projektit të tram-in elektrik”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se vizioni po realizohet, duke e modernizuar flotën e autobusëve dhe duke zvogëluar ngarkesën e trafikut në Prishtinë.

“Ky është një tjetër hap drejt planit dhe vizionit tonë për mobilitetin në kryeqytet. Vizioni ynë po realizohet. Po e modernizojmë flotën e autobusëve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, po e ulim ngarkesën e trafikut në Prishtinë dhe po e vendosim qytetarin në qendër”, ka shkruar Rama.