Shqiptari në Kolumbi u ekzekutua me pesë plumba nga një vrasës me pagesë
Një sulm i ri me vrasës me pagesë ka ndodhur të dielën pasdite në Medellin, pranë qendrës tregtare Santa Fe në zonën El Poblado, Komuna 14.
Sekretari i Sigurisë i qytetit, Manuel Villa Mejia, njoftoi se viktima ishte një burrë me dokumente ekuadoriane, por me shtetësi shqiptare. Viktima është identifikuar si Artur Tuçi, 44 vjeç, i lindur në Shqipëri.
Gjithashtu ai shton se vrasësi ishte paguar për t’i marrë jetën shqiptarit, i cili u godit me 5 plumba në gjoks dhe në krahë, shkruajnë mediat.
Vrasësi, i cili po udhëtonte me motoçikletë, u arrestua në komunën e Bellos, në veri të Luginës së Aburrás. Motoçikleta dhe arma e përdorur në sulm u sekuestruan. Nga ngjarja mbeti e plagosur një grua, e cila shoqëronte viktimën.
Villa Mejía theksoi se motivet dhe detajet e incidentit po hetohen aktualisht nga autoritetet.
Sipas analizave të InSight Crime, rrjetet kriminale shqiptare luajnë një rol kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë për operacionet e tyre transatlantike. Këto grupe negociuan direkt me prodhuesit e kokainës në Kolumbi, duke blerë drogë për 2.000–4.000 dollarë për kilogram dhe duke e rishitur në Evropë për 30.000–40.000 dollarë. /Tch