Laçi dhe Shehu para sfidës me Serbinë: Do të japim më të mirën për të fituar

Në prag të sfidës vendimtare kualifikuese ndaj Serbisë, e vlefshme për Kualifikueset e Botërorit 2026, mesfushorët e Kombëtares së Shqipërisë, Qazim Laçi dhe Juljan Shehu, folën të hënën për gazetarët në një konferencë të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Të dy futbollistët theksuan rëndësinë e ndeshjes dhe shprehën se ekipi do të hyjë në fushë me synimin për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.

“Pavarësisht presionit, jemi futbollistë profesionistë. Për ne, presioni është gjë normale. Do të shkojmë aty për të marrë maksimumin e mundshëm. Objektivi ynë është të vazhdojmë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026”, ka thënë Juljan Shehu.

Ai shtoi se fokusi i skuadrës mbetet te përgatitja dhe dhënia e maksimumit, pavarësisht ndryshimit të stadiumit apo përballjes së parë me Serbinë.

“Është e rëndësishme që të gjithë të jemi të fokusuar dhe të përqendruar te objektivi. Do të shkojmë aty për të dhënë maksimumin tonë dhe për të marrë tri pikët”, theksoi Shehu.

Ndërkaq, Qazim Laçi theksoi motivimin e skuadrës dhe gatishmërinë për sfidën vendimtare.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe vendimtare. Jemi profesionistë dhe të përgatitur për të marrë 3 pikët për ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Duhet të jemi të qetë, të përqendruar dhe të fokusuar në çdo detaj”, tha Laçi.

Laçi dhe Shehu nënvizuan edhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes brenda ekipit, duke theksuar se vendimet e trajnerit për formacionin nuk ndikojnë në përkushtimin e lojtarëve.

“Në Kombëtare jemi të gjithë për të dhënë maksimumin, pavarësisht se kush e nis si titullar. Mbështesim njëri-tjetrin dhe fokusohemi tek objektivi”.

Të dy futbollistët shprehën besimin se ekipi mund të marrë tri pikët, duke shfrytëzuar çdo mundësi dhe duke kontrolluar detajet që do të bëjnë diferencën.

“Do të futemi që në minutën e parë për të marrë tri pikët. E dimë që Serbia luan në shtëpinë e saj, por do të përgatitemi maksimalisht për të marrë fitoren”. /rtk