Ky është 44-vjeçari shqiptar i vrarë në Kolumbi

Një shqiptar ka vdekur pasi është qëlluar të dielën në Kolumbi.

A2 CNN ka siguruar foton e shqiptarit Artur Tushi (alias Kristjan Tushi), i cili u ekzekutua me armë zjarri nga një shtetas venezuelian, në Medelin të Kolumbisë.

44-vjeçari, i dyshuar si trafikant droge u vra në një rrugë pranë qendrës tregtare Santa Fe, në lagjen El Poblado dhe autorët e dyshuar janë arrestuar nga policia.

Ky medium mëson se Tushi ka precedentë penalë në Spanjë, ku ka qenë i skeduar nga policia.

Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, informoi se viktima ishte një burrë që kishte dokumente ekuadoriane, por është me kombësi shqiptare.

Gjatë atentatit, një grua që shoqëronte 44-vjeçarin shqiptar mbeti e plagosur. Ai gjithashtu bëri të ditur se autori i dyshuar i vrasjes, i cili lëvizte me motor, u arrestua në komunën Bello, në veri të luginës Aburra. Motori dhe arma e zjarrit me të cilën dyshohet se u krye vrasja u sekuestruan.

“Motivet dhe detajet e rastit janë duke u hetuar në këtë moment nga autoritetet”, deklaroi Villa Mejia.