Rogova-Gaxha: Java e Bibliotekës, me shumë aktivitete të ndryshme

Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nis sot edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës, e cila këtë vit zhvillohet me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe program të pasur kulturor e shkencor. Aktivitetet do të zgjasin deri më 12 tetor 2025.

Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, foli më gjerësisht rreth qëllimit dhe programit të kësaj jave.

“Fatmirësisht Java e Bibliotekës është e konceptuar si javë me shumë aktivitete të ndryshme që flasin për librin dhe bibliotekën. Sot është ceremonia e hapjes së Javës së Bibliotekës; e kemi zhvendosur në orët e pasdites, në mënyrë që ta bëjmë më ceremoniale dhe për arsye se kemi mysafirë të shumtë ndërkombëtarë që do të marrin pjesë. Ditët në vazhdim programi është i konceptuar me shumë aktivitete dhe shumë i pasuruar me sesione të ndryshme shkencore për temat që flasin për bibliotekat sot, për traditën dhe inovacionin në bibliotekari. Gjithashtu, përpos kësaj kemi edhe aktivitete të ndryshme kulturore, duke përfshirë edhe panelet e diskutimit, duke përfshirë letërsinë shqipe në Kosovë, panele të diskutimit për të drejtën e autorit dhe bibliotekat dhe shumë të tjera”, tha Rogova-Gaxha për RTK-në.