Kryeministri francez Lecornu jep dorëheqje disa orë pas emërimit të qeverisë
Zyra e presidentit Emmanuel Macron njoftoi se kryeministri i ri Sébastien Lecornu kishte paraqitur dorëheqjen e tij mëngjesin e së hënës, më 6 tetor, disa orë pasi ishte formuar qeveria e tij e re.
Dorëheqja e Lecornusë, duke e bërë atë kryeministrin me jetëgjatësinë më të shkurtër në historinë e kohëve të fundit franceze, e zhyt vendin përsëri në pasiguri, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Të dielën në mbrëmje, pothuajse katër javë pas emërimit të tij nga Macron, Lecornu kishte zbuluar kabinetin e tij, i cili ishte pothuajse identik me atë të paraardhësit të tij të rrëzuar, François Bayrou.
Por çarjet u dukën menjëherë, me anëtarë të disa partive brenda koalicionit qeverisës që shprehën dyshime dhe kritika për mungesën e ndryshimit.
Në fillim të shtatorit, Macron emëroi 39-vjeçarin Lecornu kryeministrin e shtatë të mandatit të tij në një përpjekje për të qetësuar një krizë politike në thellim.
Politika franceze ka qenë në trazira që kur Macron “vuri bast” me zgjedhjet e parakohshme verën e kaluar me shpresën për të forcuar autoritetin e tij.
Ky veprim pati efekt të kundërt, duke prodhuar një parlament të ndarë midis tre blloqeve rivale.