Zbulohen emri i viktimës dhe detaje të tjera rreth “vrasjes së radhës nga lufta e klaneve mafioze” në Mal të Zi
Banori i Cetinjes, Boban Sjekloqa (33), një anëtar i dyshuar i lartë i celulës së Cetinjes të klanit “Skaljar”, u vra të dielën rreth orës 18:00, në vazhdimin e luftës midis grupeve kriminale malazeze, shkruan Vijesti, duke iu referuar informacioneve jozyrtare.
Administrata e Policisë ende nuk ka njoftuar asgjë në lidhje me këtë vrasje.
Trupi i tij u gjet në një makinë "Golf plus" me targa të Podgoricës, afër plazhit të njohur Trsteno.
Sipas informacioneve të para nga hetimi, Sjekloqa u qëllua përmes xhamit të përparmë, dhe në vendngjarje u gjetën gëzhoja dhe gjurmë të tjera, të cilat do të dërgohen për ekspertizë.
Prokurorja e lartë e Shtetit Ana Radoviq konfirmoi se gjatë hetimit u mblodh një sasi e caktuar provash.
"Viktima u identifikua si B.S. (33). Gjatë hetimit, u gjetën një numër i caktuar gjurmësh dhe gëzhojash, të cilat do të ekzaminohen në Qendrën Mjekoligjore", tha Radoviqi.
Sipas burimeve nga hetimi, automjeti në të cilin u gjet trupi u vu re nga zjarrfikësit pasi u raportua se makina doli nga rruga rreth orës 18:00.
Ata informuan policinë për gjithçka, e cila më pas shkoi në terren.
Siç theksojnë mediat në Mal të Zi, përcjell Telegrafi, Sjekloça ishte në arrati për vite me radhë dhe, sipas të dhënave të policisë, ai konsiderohej një lidhje e rëndësishme në qelinë e klanit “Skaljar” në Cetinje.
Prokuroria speciale shtetërore e akuzoi atë për kontrabandë gjysmë ton kokainë, si dhe për pjesëmarrje në krime të rënda, përfshirë ndihmën në një vrasje të dyfishtë në Cetinje në vitin 2020.
Shtëpia e tij në Cetinje u kontrollua disa herë nga policia, por ai nuk u gjet kurrë.
Vrasja e së dielës është e dyta në Kotor në më pak se dy muaj, në llogari të klaneve ndërluftuese.