Struga ruan kreun e renditjes, ndalet në barazim nga Vardari

Struga Trim & Lum, ka marrë një barazim me shumë vlerë në derbin kundër Vardarit (2-2), në një ndeshje që dhuroi spektakël, gola dhe emocione deri në minutat e fundit. Struga edhe pse kishte fitoren në shtesë, mbetet e vetme në krye të tabelës me 23 pikë, duke dëshmuar se është skuadra më stabile dhe më e kompletuar e sezonit, njofton Telegrafi.

Takimi i zhvilluar në Arenën “Todor Proeski” në Shkup filloi me kujdes nga të dyja palët, por Struga u tregua më konkrete dhe më e organizuar në fazën sulmuese. Epërsia erdhi në minutën e 19-të, kur kapiteni Bunjamin Shabani u gjend në vendin e duhur pas një harkimi perfekt nga Pape Fall, duke shënuar me kokë për 0-1.

Në pjesën e dytë, Vardari rriti presionin dhe pas një penalltie të diskutueshme, Roger Mato barazoi në minutën e 60-të, pas një goditjeje të dytë. Por, përgjigjja e Strugës ishte e menjëhershme, vetëm katër minuta më pas, ylli i skuadrës Kompaore realizoi një gol të bukur për rikthimin e epërsisë (1-2).

Në minutat e fundit, Struga pati mundësinë të vuloste fitoren, por Maleski humbi një rast ideal, ndërsa në shtesë (92’) Vardari arriti të shpëtojë një pikë falë golit të Jankullovit për 2-2.

Ky barazim megjithatë nuk e lëviz Strugën nga pozita e parë, e cila vazhdon marshimin drejt titullit me vetëm një humbje pas nëntë javësh. Skuadra e Blendi Shkëmbit po konfirmohet si forca më e qëndrueshme në elitën e futbollit, duke ruajtur ritmin e fitoreve edhe në ndeshjet më të forta. Në duelin e dytë të ditës, Sileksi mundi me rezultat minimal 1-0 Tikvesin.

Java e nëntë mbyllet nesër me duelin Pelisteri – Shkëndija.