Adelina Ismaili rikthehet në skenë me koncert recital për 40-vjetorin e karrierës
Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Adelina Ismaili, po përgatitet për një rikthim madhështor në skenë me rastin e 40-vjetorit të karrierës së saj artistike. Një nga figurat më ikonike të muzikës moderne shqiptare, Adelina do të festojë këtë përvjetor me një koncert recital, që pritet të jetë një ngjarje e veçantë për publikun dhe artdashësit.
Pas suksesit të albumit të saj EP me titull “Grua”, i cili u prit me shumë entuziazëm dhe vlerësime për përmbajtjen e tij artistike dhe mesazhin fuqizues për gruan, diva shqiptare ka vendosur t’u gjendet sërish pranë fansave — këtë herë me muzikë live dhe emocione të vërteta në skenë.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë këngëtarja dhe faqja zyrtare e Rave Travel në rrjetin social Instagram, përmes një njoftimi të përbashkët që ngjalli menjëherë interesin e madh të ndjekësve.
"Një koncert i shumëpritur që sjell nostalgji, emocione dhe fuqinë e një arti që ka shënuar muzikën shqiptare.
Me një karrierë që ka thyer tabu dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme, rikthimi i saj bashkon brezat në një përjetim që tejkalon kohën”, shkruhet në njoftim.
Adelina Ismaili është konsideruar prej dekadash si një nga artistet më të guximshme dhe më me ndikim në skenën shqiptare, me këngë që kanë shoqëruar disa breza dhe me performanca që shpesh kanë tejkaluar kufijtë artistikë të kohës.
Koncerti do të mbahet më datë 26 nëntor në AMC Hall dhe biletat tashmë kanë dalë në shitje, me fansat që mezi presin të përjetojnë magjinë e rikthimit të “divës së muzikës shqiptare” në skenë. /telegrafi